Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës



Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Kosovës (AACK) është themeluar me Ligjin nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil si agjenci e pavarur rregullatore për aviacionin civil. AACK-ja është përgjegjëse për rregullimin e sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe shërbimeve të navigacionit ajror në Republikën e Kosovës. Aktivitetet në aviacionin civil në hapësirën ajrore të Kosovës zhvillohen në përputhje me dispozitat e Ligjit për Aviacionin Civil, Konventën për Aviacionin Civil Ndërkombëtar të datës 7 dhjetor 1944 dhe Marrëveshjen për Themelimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit. Kosova posedon kornizën e duhur ligjore për aviacionin dhe mbikëqyrjen e aktiviteteve në aviacion. Vazhdimisht hartohen rregullore dhe kërkesa ligjore për të përputhur legjislacionin dhe procedurat e aviacionit të Kosovës me kërkesat ndërkombëtare, siç janë Standardet dhe Praktikat e Rekomanduara të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe veçanërisht me kuadrin ligjor të BE-së si pjesë e detyrimeve tona sipas Marrëveshjes së Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit, në të cilën Kosova është palë kontraktuese.

Hartohen materiale udhëzuese si për industrinë ashtu edhe për personelin e AACK-së për të mundësuar të kuptuarit e lehtë dhe përmbushjen e kërkesave ligjore dhe standardeve. Implementimi i Sistemit të Menaxhimit të Sigurisë nga të gjithë operatorët, duke filluar nga aeroportet, kompanitë ajrore e deri te ofruesit e shërbimeve të trafikut ajror dhe organizatat e mirëmbajtjes, është themel për operacione të sigurta në aviacion. AACK-ja është e zotuar për arritjen e nivelit më të lartë të mundshëm të sigurisë në Kosovë. AACK-ja ka mandat për të detyruar përmbushjen e kërkesave ligjore dhe standardeve.

Vizioni



Të ofrojmë sistemin më të mirë të mundshëm të aviacionit civil në Kosovë.

Misioni



Ta mbajmë nivelin më të lartë të standardeve të sigurisë në Kosovë.