Regjistrimi i mjeteve ajrore
AAC-ja është autoriteti i vetëm në Republikën e Kosovës për regjistrimin e mjeteve ajrore civile. Departamenti i Sigurisë së Fluturimeve brenda AAC-së mban regjistrin e mjeteve ajrore civile të regjistruara në Kosovë.
Para se mjeti ajror të përdoret për të fluturuar, ai duhet të regjistrohet. Dispozitat për regjistrimin, nacionalitetin dhe shenjëzimin e mjeteve ajrore janë përcaktuar në Ligjin nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil. Rregulla më të hollësishme për regjistrimin janë të përfshira në Rregulloren nr. 11/2011 për Regjistrimin dhe Shenjëzimin e Mjeteve Ajrore.
Regjistri tregon pronarin, poseduesin dhe operatorin e mjetit ajror, si dhe detajet e mjetit ajror. Për më tepër, çdo vënie e mjetit ajror në hipotekë si dhe ripërtëritja e anulimi i saj dhe ndryshimet në radhën e përparësisë futen në regjistrin e mjeteve ajrore.
Nëse mjeti ajror nuk ka qenë më parë në regjistrin e mjeteve ajrore civile të Kosovës, pronari duhet të aplikojë për regjistrim duke përdorur formularin e ofruar nga AAC-ja.
Kërkesës për regjistrim duhet t'i bashkëngjiten dokumentet e mëposhtme:
• fatura e blerjes ose kontratë tjetër e pronësisë (ose një kopje);
• një vërtetim ose njoftim i heqjes nga regjistri nga autoriteti i huaj ose një vërtetim se mjeti ajror nuk është i regjistruar në vendin e prodhimit;
• letra e autorizimit, nëse është e aplikueshme, ose dokumenti tjetër që tregon të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e nënshkrimit;
• nëse mjeti ajror ka një operator, posedues apo agjent (përveç pronarit), ju lutemi bashkangjitni një njoftim për operatorin e mjetit ajror.
Ndryshimi i pronësisë
Kur mjeti ajror ndryshon pronarin, pronari i ri duhet ta njoftojë AAC-në për ndryshimin e pronësisë. Ky njoftim bëhet duke përdorur të njëjtin formular si për regjistrimin e ri.
Nëse janë më shumë se një pronar, duhet të ipen detajet e plota kontaktuese për të gjithë pronarët në formular ose në një shtojcë të veçantë. Të gjithë pronarët duhet ta nënshkruajnë formularin e njoftimit ose kur është e nevojshme të paraqesin një letër autorizimi.
Njoftimit duhet t'i bashkëngjiten dokumentet e mëposhtme:
• fatura e blerjes ose kontratë tjetër e pronësisë (ose një kopje);
• certifikata e mëparshme e regjistrimit në origjinal;
• letra e autorizimit, nëse është e aplikueshme, ose dokumenti tjetër që tregon të drejtën e pronësisë dhe të drejtën e nënshkrimit;
• nëse aeroplani ka një operator poseduesi apo agjent (përveç pronarit), ju lutem bashkëngjitni një njoftim për operatorin e avionit.
Dokumentet janë subjekt i një tarife. Tarifat e shërbimit bazohen në Rregulloren nr. 7/2011 për tarifat e ngarkuara nga AAC-ja. Kohëzgjatja e procesimit është përafërsisht një javë.
Njoftimi për shitjen dhe largimi nga regjistri
Shitësi i mjetit ajror mund ta njoftojë për shitjen AAC-në duke përdorur formularin për njoftim të shitjes. Nëse shitësi dëshiron që ndërprerja e pronësisë të shënohet në regjistrin e mjeteve ajrore, njoftimit duhet t’i bashkëngjitet fatura e blerjes.
Kërkesa për largimin e mjetit ajror nga regjistri i mjeteve ajrore mund t’i bëhet AAC-së duke përdorur një formular të veçantë. Në rast se mjeti ajror është shitur në një shtet tjetër, në pjesën “Arsyeja për largimin” duhet të shënohet shteti i ri i regjistrimit. Certifikata origjinale e regjistrimit duhet t’i bashkëngjitet kërkesës.









